Fjala e Hapjes nga Linda Van Gelder Drejtore Rajonale e Bankës Botërore

0
36

Të nderuar Kryeministra dhe pjesëmarrës,

Faleminderit që më ftuat të bëj një hyrje të shkurtër për temën e kësaj seance të pare – lidhur me arritjen e tregtisë së lirë të mallrave në Ballkanin Perëndimor.

Kjo është një temë e rëndësishme – asnjë vend i vogël nuk mund të pasurohet pa përshpejtuar eksportet dhe pa thelluar integrimin e tij në ekonominë botërore. Përmirësimi  i suksesshëm i eksporteve mund të sjellë rritje të prodhimit, punësimit, dhe PBB-së sikurse edhe rritjen e konvergjencës së të ardhurave.

Por pavarësisht kësaj eksportet në rajon mbeten shumë të ulëta. Çfarë i frenon vendet e Ballkanit Perëndimor? 

Ka reforma të gjera për gjithë sferën ekonomike që u përmendën në seancën e hapjes të cilat garantojnë një kuadër të përgjthshëm. Kjo seancë përqendrohet tek ajo çka e bën importin dhe eksportin e mallrave kaq të shtrenjtë në Ballkanin Perëndimor.

Nuk e bëjnë tarifat tregëtinë të kushtueshme në rajon, por me lejoni të prek disa fusha që do të reduktonin kostot: (i) harmonizimi i procedurave kufitare; (ii) reduktimi i kostove të logjistikës; (iii) lehtësimi i transportit; dhe së fundmi (iv) rëndësia e monitorimit. Shumë nga këto përputhen me atë që është parashikuar tashmë në Planin Shumëvjeçar të Veprimit për një Zonë Ekonomike Rajonale.

Mbi procedurat kufitare –  Në Ballkanin Perëndimor, kostot e larta të eksportit dhe të importit kanë të bëjnë kryesisht me zbatimin e rregullave kufitare dhe me kohën që kalohet në kufi. Kjo përfshin zhdoganimin dhe kontrollet nga agjencitë kufitare. Përvoja ndërkombëtare tregon se ka përfitime të mëdha nga thjeshtësimi dhe harmonizimi i procedurave dhe kufijve duke siguruar kapacitet të mjaftueshëm për të trajtuar tregëtinë.

Vetëm disa shifra: Numri i kamionëve dhe shoferëve që nevojiten në Ballkanin Perëndimor për shkak të vonesave në kalimet e kufirit është 5 herë më i madh sesa në një vend efikas të BE-së. Çdo vit, kamionët kalojnë 26 milionë orë – që do të thotë pothuajse 3,000 vite – në pikat e kalimit të kufirit në Ballkanin Perëndimor.

Shumë pengesa që lidhen me secilin vend mund të eliminohen me lehtësimin e tregëtisë. Elementë që mund të sjellin sukses të shpejtë përfshijnë zbatimin e kontrolleve të përbashkëta kufitare dhe një sportel kombëtar të harmonizuar , duke përdorur një sistem Operator të Autorizuar Ekonomik për të reduktuar nevojën për kontrolle doganore dhe zhvillimin e një sistemi për menaxhim të përbashkët të riskut tek dogana.

Mbi koston e logjistikës së tregtisë – ka hapësirë për fitim të madh. Vlerësojmë se kursimet në rajon do të ishin më shumë se 900 milionë EUR në vit (rreth 1 përqind e PBB-së të gjithë rajonit) nëse kostot e logjistikës do të jenë në një linjë me ato të BE-së.

Shumë përmirësime logjistike lidhen me ato që përmenda tek dogana. Por ka gjithashtu edhe veprime të tjera që mund të merren në konsideratë. P.sh. përdorimi aktiv i Komisioneve Kombëtare të Lehtësimit të Tregëtisë për të bashkuar palët e interesit privat dhe publik është bërë me sukses në shumë vende për të identifikuar dhe trajtuar kufizimet kyçe. Teknologji të reja mund të përdoren për të zhvilluar platforma bashkëpunimi që mund të ndihmojnë në konsolidimin e ngarkesave dhe të reduktojnë lëvizjet bosh. Kjo redukton kostot dhe është në të mirë të mjedisit.

Lehtësimi i transportitështë gjithashtu thelbësor. Ndërsa ka pasur investime shumë të mëdha në transport – mbi 12 miliardë EUR që prej vitit 2004 – këto investime jo gjithmonë janë shfrytëzuar në mënyrë efikase. Në Ballkanin Perëndimor, korridoret kryesore të transportit janë kryesisht të mbaruar – mbi 80 përqind e rrjetit kryesor. Lehtësimi i transportit do të thotë. një kalim nga krijimi i kapacitetit tek përmirësimi i efikasitetit në përdorimin e atyre aseteve. Kjo do të thotë:

  • Rritje e vëmendjes për mirëmbajtjen;
  • Fokusim tek investime të reja për pengesat infrastrukturore dhe përfundimi i korridoreve kryesore;
  • Reformim i kompanive shtetërore të sektorit të transportit;
  • Hapje e tregjeve të transportit për konkurencë të rritur; dhe
  • Përdorim i teknologjisë për të përmirësuar efikasitetin dhe parashikueshmërinë e transportit.

Kostoja e lartë e investimit për transportin forcon gjithashtu rëndësinë e adresimit të çështjes së kufirit dhe të kostove të logjistikës. Nëse qindra milionë EUR investohen tek një korridor rrugor ose hekurudhor për të kursyer disa orë kohë udhëtimi, këto investime shkojnë dëm nëse kamioni/treni kalon ditë të tëra në pikën e kalimit të kufirit.

Dhe së fundmi, një fjalë për monitorimin. Kur keni informacion për mënyrën se si po funksionojnë korridoret tuaja të transporit – sa kohë duhet për të bërë një udhëtim, sa kohë duhet për përpunimin në kufi, cilat janë pengesat në korridor – keni në dorë një instrument të fuqishëm për të çuar para reformat. Nuk mund të menaxhoni diçka që nuk e masni dot. Qasjet monitoruese si ato që po mbështesim aktualisht në Bosnjë dhe në Shqipëri, përdorin GPS dhe të dhëna të mëdha për të mbajtur mbledhjen e të dhënave në një kosto të ulët dhe për t’i bërë ato lehtësisht të replikueshme. Ky informacion mund t’ju ndihmojë që të dini se ku nevojitet vëmendje. Në lidhje me barrierat jotarifore, një hap i parë drejt monitorimit do të ishte realizimi i anketimeve me importues/eksportues për të matur pengesat proceduriale dhe rregullatore ndaj tregëtisë. Këtu, si në çdo fushë, nevojitet një partneritet i ngushtë me sektorin privat. Ndërmarrja e anketimeve të rregullta me operatorë privatë bën të mundur që të  regjistroni barrierat jotarifore që e prekin tregëtinë dhe biznesin dhe ju ndihmon që të dini se ku duhen marrë masa.

Në Ballkanin Perëndimor ka një potencial të madh për të rritur tregtinë dhe integrimin ekonomik rajonal dhe global duke kontribuar kështu për një rritje më të mirë e më të gjallë dhe për krijimin e vendeve të punës. Një gamë masash lehtësuese për tregëtinë dhe transportin mund të jenë një element i rëndësishëm për të reduktuar kostot e tregëtisë dhe për të arritur këtë potencial.

Banka Botërore ka punuar me secilin vend të Ballkanit Perëndimor për këto probleme dhe shumë mund të arrihet në nivel kombëtar. Por, përfitimet dhe rezultatet do të zmadhohen nëse këto probleme adresohen kolektivisht në nivel rajonal.

Faleminderit. 

LEAVE A REPLY